Ditën e nesërme do luhet supersfida mes Tiranës dhe Partizanit. Një ndeshje tepër e rëndësishme për të dy skuadrat, por edhe për tifozët e tyre që kërkojnë të mos dalin të humbur nga ky takim. Tirana vjen si kryesuese në këtë sfidë dhe me fitoren në derbin e kaluar theu “mallkimin” prej afro 6 vitesh pa fituar. Nga ana tjetër Partizani nuk vjen në një moment të mirë në këtë takim pasi barazimi ndaj Bylisit në fund që prishi disi qetësinë në kampin e kuq.
Në një intervistë për Newsport.al ka folur dhe Dorian Bylykbashi, ish-kapiteni i të kuqve. Ish-fantazisti i Partizanit ka mundur t’i shënojë 2 gola Tiranës, ndërsa në aventurën e tij prej 5 sezonesh me të kuqtë arriti të fitonte Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Në fjalën e tij Bylykbashi shprehet se këtë derbi e fiton e Partizani madje ka bërë edhe një parashikim për rezultatin e sfidës.
-Si e keni parë Partizanin në ndeshjet e fundit?
Në ndeshjen ndaj Laçit pash një Partizani luftarak që e meritoi fitoren, ndërsa me Bylisin u pa sikur çdo gjë u mbyll shumë shpejt me dy golat e shënuar, por në fund nuk shkoi çdo gjë siç pritej. Golat u shënuan, por nuk arritën që të mbroheshin siç duhej, plus dhe goli i anulluar i Braun që për mendimin tim ishte i rregullt dhe aty do të ishte mbyllur gjithçka. Për mendimin tim edhe goli i Bylisit i akorduar në fund nuk ishte gol i rregullt. Që të kishim një Partizan në gjendje të mirë psikologjike duhej të kishte fituar me Bylisin.
-Cili është mendimi juaj se përse skuadra nuk po funksionin?
Nuk mendoj se nuk po funksion skuadra, por edhe mungesa ka pasur e nuk ka shumë lojtarë për t’i zëvendësuar. Ja përsëri mungon Lorenc Trashi, një lojtar që vështirë ta zëvendësosh duke parë kontigjentin e lojtarëve që Partizani ka në dispozicion.
-A është vendim i duhur rikthimi i Esat Malës me skuadrën e parë?
Esat Mala për mua duhet të ishte aty që nga fillimi dhe të mos largohej. Janë detyrat e drejtuesve që duhet t’i zgjidhin gjërat më mirë. Ka qenë lojtar kryesor vjet dhe do t’i bëjë shumë mirë ekipit. Shpresoj ta gjej sa më shpejt formën e tij më të mirë.
-Si mund ta fitojë Partizani këtë derbi? Një parashikim nga ana juaj kush e fiton këtë derbi?
Partizani këtë derbi do ta fitojë siç ka fituar gjithmonë duke dhënë zemrën në fushë. Për mendimin tim fiton Partizani 2-1.
E e shikon Partizanin favorit për titullin kampion?
Sigurisht që është një ndeshje midis dy favoriteve për titull dhe me fitoren e Partizanit diferenca shkon në 3 pikë. Kur kanë mbetur edhe shumë javë e për mendimin tim siç e kam thënë që në fillim janë 3 ekipet që do të luftojnë deri në fund për titull. 3 skuadrat në garë për të dal kampion janë Partizani, Tirana dhe Kukësi.
Intervistoi /Renaldo Gremi/