Luan sezonin e tij të 8-të me Tiranën, teksa kontributi i tij për të vënë “qershinë mbi tortë” është i padiskutueshëm. Titulli i 25-të kampion është shfaqur në horizont, ndërsa Erion Hoxhallari s’preferon të ngrejë kokën për ta parë atë, por ka zgjedhur të luajë këmbët në mënyrë që ta prekë sa më parë.
Anësori i linjës së majtë të bardhebluve, në një intervistë ekskluzive për Newsport.al tregon momentin më të vështirë dhe më të bukur me fanelën bardheblu. Shpesh herë ka qenë në qendër të kritikave, por siç thekson ai, ato e kanë bërë më të fortë.
Gledi Mici është përfolur për t’iu bashkuar Tiranës për Europën, megjithatë homologu i tij s’e tremb aspak. Përkundrazi i uron mirëseardhjen dhe për vendin e titullarit, do ta tregojë koha. Ka kaluar shumë trajnerë në karrierën e tij, i preferuari i tij është vetëm një. Pa pikë mëdyshje e thotë copë: Ilir Daja.
E ardhmja e 24-vjeçarit? Korçari lë të hapur gjithëka. Momentalisht fokusi i tij është te ngjyrat bardheblu.
– 23 ndeshje si titullar, 1 gol i shënuar. Kontributi juaj te Tirana drejt rrugës për titullin kampion është mjaft i dukshëm. A beson se kapitulli i titullit ka përfunduar?
Besoj se kapitulli i titullit kampion ende s’ka përfunduar. Janë edhe shumë pikë në lojë. Matematika nuk na lejon që ta konsiderojmë të përfunduar këtë kapitull.
– Sezoni i 8-të te bardheblutë. Kush ka qenë momenti më i trishtë me fanelën e 24 herë kampionëve të Shqipërisë? Po më i bukuri?
Momenti më i vështirë ka qenë viti i errët, kur ramë nga kategoria. Ndërsa, momenti më i bukur ishte triumfi në derbi 2-1, të cilin e kishim pritur prej shumë kohësh dhe më në fund erdhi kthesa.
– E nisët këtë edicion me Memën, po e mbyllni me Egbon. Titulli i përket Ardit apo Emanuelit, si mendon?
Kjo performancë dhe ky pozicion që mbajmë aktualisht, janë falë punës së palodhshme të trajnerëve. Profesor Ardi meriton respekt, por meritën më të madhe e ka profesor Egbo, pasi ai arriti të na rikthente qetësinë.
– Organika është e njëjtë, lojtarët janë po ata. Çfarë ka ndryshuar te Tirana me Egbo-në në pankinë?
Me ardhjen e profesor Egbosë në pankinë, janë vendosur të gjithë lojtarët në pozicionet e veta dhe na ka rikthyer qetësinë, atë besimin që ne mund t’ia dalim, gjë të cilën askush s’e besonte që mund të bënim këto gjëra që kemi arritur deri tani.
– Sa e vështirë është të jesh pjesë e Tiranës?
Tirana është ekipi më i titulluar në Shqipëri. Të jesh pjesë e saj, është përgjegjësi e madhe. Të gjithë lojtarët ëndërrojnë të luajnë për këtë fanelë. Presioni është shumë i madh sepse një ekip i madh ka gjithmonë objektiva të mëdha.
– Te Tirana është përfolur të vijë në skuadër Gledi Mici. A ndiheni i rrezikuar?
Nuk e di nëse është e vërtetë, por nëse vjen, i uroj mirëseardhjen pasi vjen në një skuadër të madhe. Sa i përket rrezikut, unë kam besim në vetvete dhe s’ndihem aspak i rrezikuar.
– Mos ndoshta ka ardhur momenti për të ndërruar destinacion pasi 3 lojtarë për një rol në prapavijë mund të jenë shumë?
Të mbyllet ky kampionat sepse vazhdimësisë nuk i dihet. Ëdo futbollist ka fatin e tij dhe unë s’e di ku e kam riskun tim.
– Ke oferta nga Superliga apo edhe jashtë vendit?
Deri në fund të sezonit jam pjesë e Tiranës. Më pas do të vendos për të ardhmen, pasi kam pasur shumë kontakte si nga jashtë, por edhe në Shqipëri. Për momentin jam pjesë e Tiranës dhe dua të përfundojmë me sukses këtë sezon. Të ardhmen time t’ia lëmë kohës.
– Shpesh herë keni qenë në qendër të kritikave, madje ka pasur momente që jeni ulur edhe në stol. Ndërkohë ky sezon ka treguar që Erioni s’ka qenë e “keqja” e Tiranës. Komenti juaj?
Këto kritika dhe fjalë gjithmonë më bëjnë më të fortë dhe ma shtojnë urinë për t’iu treguar që unë jam ky dhe do të mbetem gjithmonë ky qe jam.
– Rivali juaj i përjetshëm është Partizani. Pas humbjes 2-1 në Air Albania në dhjetor, të kuqtë s’po ngrejnë kokën më. A do të ishe i gatshëm të pranoje një ofertë tunduese nga 16 herë kampionët e vendit?
Për momentin, e thashë: Mendoj vetëm për kontratën aktuale që kam me Tiranën.
– Gjatë karrierës kemi gjithmonë diçka apo dikë që na ka lënë mbresa. Për Hoxhallarin, kush është trajneri i preferuar? Këtë herë s’bën punë modestia e tipit: “Të gjithë janë profesionsitë, të gjithë kanë të veçantat e veta”. Një emër?
Meqenëse duhet vetëm 1 emër, s’po mendohem gjatë: Ilir Daja! /Retin TOKA/