Dita e dielë do të jetë shumë e veçantë Ervis Hoxhën. Bëhet fjalë për mesfushorin shqiptar nga Berati, që aktivizohet me skuadrën e Apollon Larissa në Greqi. Talenti i tij ka shkuar shumë larg, saqë është duke sjellë rrotull disa prej skuadrave më në zë të Europës.
Tashmë është radha për të shkuar tek Atletico Madrid. Drejtuesit e klubit, që aktualisht është kampion i Europa League, e kanë thirrur që të kenë prezent nga afër për të parë cilësitë e tij në fushën e lojës.
Një provë 4 ditore mund të vendosë shumë për të ardhmen e këtij djaloshi, i cili në një moshë shumë të re ka bërë për vete të interesohen skuadra të mëdha.
Më parë Ervisi ka shkuar gjithashtu edhe tek Benfika në Portugali, por edhe tek Chievo në Serie A. Padyshim që çdo fillim karriere ka ato vështirësitë e veta, por talenti, puna e palodhur dhe vendosmëria e treguar nga një futbollist, ka bërë që një ditë gjithçka të shpërblehet.
Atletico është një prej atyre klubeve sot në botë që investon shumë tek të rinjtë, e prej aty kanë dalë lojtarë që sot kanë shumë emër dhe luajnë në disa prej skuadrave më të mëdha në botë. Përmendim këtu sulmuesin Kun Aguero, që aktivizohet me Manchester City. David de Gea, portieri i Manchester United. Gjithashtu edhe Fernando Torres, apo edhe Radamel Falcao.
/Newsport.al/