Albi Doka është rikthyer të flasë për derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit që zhvillohet të hënë në 19:45. Ish-mbrojtësi i Tiranës prej dy sezonesh luan me NK Gorica në elitën e Kroacisë, duke treguar nivel të lartë loje, teksa ka merituar ftesën e Edy Rejas për në Kombëtaren kuqezi.
Doka në një bisedë për newsport.al tregon emocionet e derbit, si edhe dëmtimin që e ka mbajtur jashtë në Kroaci. 24 vjeçari nuk ishte pjesë në ndeshjet e fundit edhe me Kombëtaren, teksa tanimë ka lënë pas problemet fizike duke u rikthyer në stërvitje.
Si njeriu që “nxehte” derbin mes Tiranës dhe Partizanit me shpërthimet e tij në krah, Doka tregon se e sheh skuadrën e Shehit më të favorizuar në këtë duel, duke mos lënë pa përmendur edhe punën e trajnerit.
“Tani është fillimi i kampionatit dhe derbit kurrë nuk i dihet. Shoh Tiranën më mirë sepse e ka treguar veten edhe në ndeshjet e fundit. Partizani kurrë s’duhet nënvlerësuar, pavarësisht se kanë grumbulluar 4 pikë, derbi është derbi.
Presioni në këtë ndeshje? Partizani mendoj ka më shumë presion sepse i duhen pikët. Tirana është më e qetë dhe besoj se bardheblutë janë favoritët për ta fituar këtë ndeshje”, tha fillimisht mbrojtësi kuqezi.
Mbrojtësi anësor nuk kurseu elozhet për trajnerin Shehi, që në të shkuarën e ka pasur si kundërshtar në fushë.
“Tirana e Shehit më duket mjaft ekip i mirë. Profesori punon mjaft mirë dhe është serioz në punën e tij, siç po tregojnë relultatet. I uroj me gjithë zemër trajnerit Shehi dhe Tironës sime ta fitojnë këtë ndeshje”.
I pyetur në lidhje me dëmtimin dhe mungesën e minutave në Kroaci, Doka tregoi për dëmtimin dhe shtoi se është gati për në Kombëtare. Për mbrojtësin ky grup i kuqezinjve do shkojë tutje.
“Gjendja ime për momentin është shumë e mirë. Kam pasur disa dëmtime të vogla në kavilje, por falë Zotit tani jam mirë dhe kam filluar stërvtijen me Gorica.
Morëm një fitore tepër të madhe me Hungarinë. Më erdhi shumë keq për rezultatin ndaj Polonisë, por futbolli i ka këto. Duhet të shohim përpara. Kjo Kombëtare, e them me bindje ka për të shkuar shumë larg”.
Për Dokën, derbi do vendoset nga njëri mes Ngoo ose Seferit.
“Derbin e vendos Ngoo ose Seferi”, përfundoi Doka. / Stavro Anesti Dhimitri /