Kombëtarja shqiptare mbrëmjen e sotme do të luajë ndaj Skocisë në transfertë, ndeshje e vlefshme për Nations League. Kuqezinjtë në takimin e parë ndaj Izraelit në “Elbasan Arena” fituan me rezultatin e ngushtë 1-0, me gol të shënuar nga Taulant Xhaka.
Kohët e fundit Kombëtarja ka pësuar shumë ndryshime, duke patur afruar emra të rinj. Në lidhje me këtë situatë, në një intervistë ekskluzive për Newsport.al, ish-kapiteni kuqezi, Altin Lala është shprehur se pika më e fortë e Kombëtares është grupi dhe jo individët. Nëse ai do të ishtë trajner, padyshim që Agolli do të ishte titullar, sepse është si “vera”, sa më i vjetër, aq më i mirë. Më tëj, Lala nuk heziton të zgjedh më të mirin. Foto apo Thomas Strakosha në portë? Ish-mesfushori gjithashtu “skanon” edhe kampionatin shqiptar, ku ka folur për trajnerin më të mirë dhe skuadrën që mund të shpallet kampione.
– Shqipëria e ka nisur shumë mirë Nations League. Cili mendoni se ishte çelësi i sektretit në fitoren e parë ndaj Izraelit?
Kombëtarja është rinovim, proces e sipër. Shumë lojtar janë larguar dhe tashmë grupi duhet që të jetë sa më sinkron me njëri-tjetrin. Tashmë është vetëm fillimi dhe ka akoma shumë punë për të bërë. Por unë mendoj se ishte loja e grupit që fituam, por padyshim performaca shumë e mirë e portierit Strakosha, që me 4-5 pritje thuajse na shpëtoi nga humbja atë mbrëmje.
– Nga lojtaret që janë në të grumbulluar në Kombëtare, cili mendoni se është mesfushori më i mirë, që ndoshta përshtatet edhe më shumë me lojën tuaj?
Në kohën tonë, ne na ka bërë gjithmonë grupi, por ashtu edhe sot. Nuk mund të them që ka diferencë, secili ka kualitetet e veta. Lojtarët janë të barabartë. Xhaka ka eksperiencë. Njësoj sikurse edhe për Memushajn. Ne nuk jemi kombëtare që shkëlqejmë nga individët, por nga grupi.
– Çfarë mendimi keni për sulmin? A ju bind Guri dhe Balaj, duke qenë se Sadiku dhe Roshi vuajnë nga një dëmtim?
Më bëhet qefi për Gurin, ka luajtur shumë mirë në ndeshjen e tij në “Elbasan Arena”. Balaj ka bërë shumë ndeshje dhe ka eksperiencë, kështu që të dy janë shumë mirë për grupin.
– Përsa i përket mbrojtjes, një repart shumë i rëndësishëm për ekipin, si e shihni Veselin dhe Gjimshitin, a janë dyshja ideale në prapavijë?
Duhet të jemi më të vëmdneshëm për të mos lënë hapësira kundërshtarit. Duhet të jemi më të kujdesshëm. Duhet të funksionojmë si skuadër, ashtu sikurse kemi bërë me De Biazin, që luanim çdo centimetër të fushës. Duhet të punojnë akomë më shumë për të arritur maksimumin.
– Ndalemi pak tek një nga pikat më të forta të skuadrës, porta. Thomas Strakosha ishte padyshim lojtari më i mirë në ndeshjen e fundit në “Elbasan Arena”. Ju si e shihni atë, kush është më i mirë, Thomas, apo Foto Strakosha?
Thomas Strakosha është më i mirë. Foto ishte katastrofë, kështu ishte çun i bukur. E kam shumë mik Foton (qeshet) Sot kanë ndryshuar shumë kohërat. Tsshmë janë kushte të tjera. I biri ka qëlluar më i mirë se babai. Gjenerata e re i ka kushtet më të mira. Patjetër që nëse Foto do t’i kishte kushtet kështu sikurse i kanë portierët sot, patjetër që do të ishte një portier akoma më i mirë.
– Sonte na pret një duel shumë i vështirë në Skoci. Si mendoni që do të jetë rezultati përfundimtar i ndeshjes?
Mundësitë janë pozitive edhe një barazim nuk do ishte keq. Uroj të mos kthehemi pa pikë.
– Sa mundësi ka Shqipëria që të dalë në vendin e parë në grup?
Kemi fituar 1 ndeshje dhe kemi 3 pikë. Me një fitore ose një barazim sonte do të ishte shumë mirë. Pra, nëse dalim me pikë në fund të ndeshjes, pastaj janë të gjitha shanset për të dalë në vendin e parë.
– Do të doja një krahasim për ish-trajnerin De Biazi dhe Panuçi që është aktualisht. Kush prej tyre është më i mirë në drejtimin e Kombëtares?
De Biazi ka më shumë eksperiencë dhe De Biazi bëri grupi dhe nuk është e lehtë të bësh grup, unë kam punuar me të dhe ai ishter shumë strikt. Kurse përsa i përket Panuçit them që është vetëm fillimi dhe nuk mund të kemi një mendim ende. E ka nisur shumë mirë “Nations League” dhe uroj që vazhdojmë kështu, me fitore.
– Nëse Kombëtarja humb sonte, mendoni se Panuçi rrezikon të shkarkohet?
Smund ta them atë se nuk jam shumë afër situatës, por unë e ndjek gjithmonë dhe nuk ma merr mendja. Thjeshtë nuk mund të sikutohet shkarkimi me një humbje, duhet t’i lëmë kohën, sepse nëse do ishte kështu, atëherë me një fitore i bie që të rinovonte deri në vitin 2024.
– Agolli është kapiteni i Kombëtares, por Panuçi surprizoi dhe në “Elbasan Arena” ku nuk startoi me anësorin, por me Binakun, ndërsa kapiten ishte Hyka. Si e komentoni këtë lëvizje?
Agolli është si vera, sa më i vjetër aq më i mirë. Ka një moshë të vjetër, por është është shumë i mirë, sikurse Zanetti, që më i mirë ishte në moshën 38 vjeçare, sesa kur ishte 18 vjeç. Ka pjekuri, për mua është mbrojtësi më i mirë shqiptar. Të isha trajner do besoja te Ansi dhe padyshim do të startoja me të që nga minuta e parë. Përsa i përket Binakut, mund të them që ndeshja e parë ishte shumë mirë, por duhet të shohim vazhdimësiinë e tij, sepse lojtar nuk e bën Kombëtarja, por klubi, kështu që them se duhet të presim se si do të vijojë.
– Lala doja t’ju pyesja pak për kampionatin shqiptar. Në vetëm 3 javë, Kamza ka shkarkuar trajnerin Devolli dhe në vend të tij erdhi Duro. Çfarë mendimi keni ju në këtë rast për Duron, duke qenë se keni luajtur së bashku?
Klodian Duros i themi “Zidani nga Shkodra”. Duron e njoh shumë mirë, ka fituar me Kukësin, ka fituar kupën dhe mendoj që edhe punën e trajnerit e bën shumë mirë dhe shprësoj që do arrij shumë. I uroj gjithë të mirat.
– Një tjetër trajneri i ri në Superligë është edhe Bledi Shkëmbi. Si e shihni aventurën e këtij të fundit?
Shkëmbi e ka filluar mirë te Teuta. Besoj që mesfushorët janë trajnerët më të mirë. Shkëmbi është edhe njeri i mirë, kështu që ka bërë shumë mirë, e pashë edhe lojën me Kamzën dhe mendoj se ka për të arritur rezultate të larta me durrsakët. Megjithatë unë jam i mendimit se Ilir Daja është ndër trajnerët më të mirë të kampionatit, për të mos thënë më i miri. Gjithshtu edhe Shehi. Dua të thëm se ai e njeh Superioren më mirë nga të gjithë, është e njëjta gjë si më Shkëmbin dhe Duron. Kanë vite në futboll dhe janë shumë profesionistë. Me kualitetin që kanë, mund ta ngrenë futbollin në një tjetër nivel.
– Duke parë situatën në javët e para të kampionatit edhe ecurinë e skuadrave, kush mendoni se në fund mund të shpallet kampion?
Flamurtari, Skënderbeu dhe Kukësi. Këto 3 skuadra mund të fitojnë kampionatin. Gjithashtu edhe Partizani hyn në garën për titull, sidomos që tashmë ka marrë trajner Skënder Gegën. Një tjetër ekip shumë i mirë është edhe Laçi. Them se janë pretendentë dhe mund të luajnë një rol në kampionat. Mund të jenë pjesë e kryes së tabelës për të arritur një vend në Europa League. / Nazif ZYLALI/