Portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha është ndalur të flasë për ecurinë e tij gjysmën e këtij sezoni dhe vitin 2019 në përgjithësi. Në një intervistë për KTV, prishtinasi që ndodhet me pushime në kryeqytetin e Kosovës ka treguar se nuk kanë qenë javë të lehta me SPAL në Serinë A. Gardiani kuqezi ka dhënë opinionin e tij edhe për Kombëtaren kuqezi, duke theksuar se mentaliteti fitues dhe përvoja e trajnerit Reja do i japin një plus ekipit. Periudhë jashtëzakonisht negative e ka cilësuar portieri, kohën kur në krye të kuqezinjve ishte Cristian Panuçi.
“Pak a shumë për mua është e rëndësishme fitorja. Prej fillimit jam munduar të jap maksimumin në kampionat me SPAL. Ka qenë një piksynim i imi që të jem në formë dhe ka shkuar siç e kam pritur, duke e ndihmuar ekipin”.
“Të them të drejtën, ka qenë një situatë e vështirë deri ndeshjen e fundit. Ambiciet e grupit kanë qenë që të jemi më lart në tabelë, por është rritur shumë konkurenca mes ekipeve dhe ndeshja e fundit ishte vendimtare pasi rezultati pozitiv ishte i rëndësishëm”.
“Trajnerin e Kombëtares (Edi Reja) e kam njohur edhe më herët, jam i gëzuar që është këtu se ka përvojë duke e njohur ekipin sepse kemi shumë futbollistë që luajnë në Itali dhe ai e njeh mentalitetin e grupit. Kemi bërë një hap të rëndësishëm në ndeshjet e mbetura, por ne si Kombëtare kur kemi mundësi për kualifikim japim një 10 përqindësh më shumë. Nuk i kishim mundësitë atë moment, pasi matematikisht ishte ndeshja e Turqisë që na mbante në lojë. Kemi pasur shumë ndeshje që duhej t’i merrnim si piknisje, pasi skuadra është duke u ndërtuar pas një periudhe jashtëzakonisht negative për ne”.
“Kosova ka bërë një punë shumë të mirë prej fillimit, që ka ardhur në një moment të mirë me lojtarë që mund të bëjnë diferencën pasi janë mentalisht mirë. Kundërshtari është aty aty, mbase me Kosovën që ka diçka më shumë se Maqedonia. Nëse kjo kalohet, do jetë më e vështirë në të ardhmen por mendoj se Kosova di ta kalojë këtë”, ka mbyllur prononcimin Berisha.