Trajneri i Teutës, Edi Martini ka folur në prag të sfidës së turit të parë që durrsakët luajnë në Champions League. “Djemtë e Detit” përballen nesër në 19:00 në “Niko Dovana” me Sheriff Tiraspol, kampionët e Moldavisë. Shkodrani i stolit të Teutës nuk ka lënë pa përmendur shifrat dhe vlerën e kundërshtarëve, teksa konfirmon Sherif Kallakun në huazim nga Kroacia. Trajneri tregon se në stërvitjen e djeshme, mesfushori Daja ka shfaqur shqetësime.
“Kemi bërë një fazë përgatitore të mirë dhe është e rëndësishme që nuk kemi pasur dëmtime. Daja ka pasur pak probleme në fund të stërvitjes dje. Në përgjithësi skuadra është mirë, edhe lojtarët që kanë ardhur janë të mobilizuar. Kështu që shpresoj që gjithçka të shkojë mire.
Normalisht që në letër janë më mirë se ne, kanë buxhet shumë herë më të lartë se ne. Jemi në një pikë që pavarësisht se nuk jemi të favorizuar, mund të arrijmë më të mirën.
Sigurisht është një ndeshje shumë e vështirë, nuk është sikur vjet që ishte me një takim dhe luanim në shtëpi. Sidoqoftë duhet të bëjmë një paraqitje shumë të mirë ndeshjen e parë, të arrijmë rezultat dhe të shohim pastaj ndeshjen e kthimit.
A janë përshtatur lojtarët e afruar? Çdo gjë do kohën e vet, jemi të vetëdijshëm. Seferi është një lojtar që vrapon shumë dhe na ndihmon në të dyja fazat, në mbrojtje e sulm. Është një lojtarë me eksperiencë, pasi vjen nga kombëtarja.
Lojtarët që vijnë nga kombëtarja kanë treguar se përshtaten shpejt. Kallaku është një lojtar që deri vjet ka qenë i joni, kështu që nuk është ndonjë problem i madh, pasi 80 për qind e ekipit është po ai. Shpresoj të jenë në maksimumin e gjendjes së tyre”, tha Edi Martini.