Bajram Jashanica është qendërmbrojtësi i Skënderbeut, i cili nga viti në vit ka pësuar rritje në karrierë dhe tashmë duket se kërkon që të ndërrojë ambient. Kosovari Jashanica për mediat kosovare tregon disa gjëra lidhur karrierën e tij dhe jetën në Shqipëri, ku vlerëson ambientin korçar dhe klubin ku bën pjesë.
“Normalisht, kam bërë një hap para në karrierë dhe tani shpresoj se do të shkoj në një kampionat më të fortë. Jam rritur shumë si futbollist dhe do të vazhdoj të punoj edhe me shumë për të arritur me tepër.
“Normal që ka sjellë përfitime dhe eksperiencë më të madhe”, shprehet fillimisht Jashanica.
https://www.youtube.com/watch?v=iAPvVcEjReE
Më tej ai tregon synimet me skuadrën korçare, ku thotë se këtë sezon janë edhe më të fortë se vjet. “Prapë synojmë titullin dhe në garat europiane të bëjmë paraqitje të mirë, por duhet të tregojmë se jemi kampionë të vërtetë dhe më të fortë tani”.
I pyetur për kombëtaren e Kosovës, e cila do të marrë pjesë zyrtarisht në eliminatoret e Kupës së Botës, ai thotë: “E kemi pritur një kohë të gjatë dhe tani ka ardhur momenti t’i tregojmë botës që kemi kombëtare të fortë. Presim me padurim që të fillojnë eliminatoret. Për ne është viti i parë në histori të futbollit, prandaj nuk do ta kemi lehtë. Jemi në një grup të fortë, por nuk do të dorëzohemi. Kemi një kombëtare shumë të fortë, lojtarë me cilësi shumë të madhe dhe stafin shumë të mirë. Besoj se do të jemi të fortë. “Kosova gjithmonë ka dhënë futbollistë të dëshmuar. Kosova duhet të ketë infrastrukturë më të mirë, të ketë një stadium të mirë e fusha të mira, që cilësia e lojës të ngritët. Në Shqipëri luhet në nivel më të lartë se në Kosovë edhe besoj se në 2-3 vitet e ardhshme, edhe Kosova do të jetë në nivelin e Shqipërisë”.
Në fund Jashanica pyetet për jetesën në Korçë dhe se për çfarë i ka mbetur peng nga jeta e tij. “Mirë është! Korça është ndër qytetet më të bukura në Shqipëri dhe jemi shumë të respektuar nga të gjithë. Në Korçë jeta nuk është edhe aq e shtrenjtë, pothuajse njësoj si në Kosovë. Por në Korçë jam edhe me bashkëshorten, pastaj edhe gjashtë të tjerë nga Kosova. Kështu që jemi një familje. Është Liridon Latifi, Leonit Abazi, Enis Gavazaj, Argjend Mustafa, Argjend Malaj e Agim Zeka. Gëzimi më i madh është që jam pjesë e kombëtares së Kosovës, sepse e kam pasur ëndërr gjithmonë. Zhgënjimi më i madh, kur pësova lëndimin para tri vitesh në gju, por falë Zotit tani jam shumë mirë”.