Në një intervistë të dhënë për “Daily Mail”, futbollisti me origjinë shqiptare Shkodran Mustafi ka tregua një pjesë të jetës së tij në Gjermani, duke filluar me problemet që ai dhe familja e tij kanë hasur atje dhe më pas deri tek sukseset që ai aktualisht po jeton në futboll tek Arsenali.
Mustafi u lind dhe u rrit në Bad Hersfeld të Gjermanisë, pasi gjyshi i tij emigroi nga Shqipëria duke nisur çdo gjë nga e para, kjo ishte mjaft e vështirë për familjen e tij, ndërkohë që ai vetë tani i kujton ato dhe shikon se sa shumë përpjekje ka bërë familja e tij për të realizuar ëndrrën e madhe.
Intervista e plotë e Shkodran Mustafit:
“Kur isha 14 vjeç iu bashkova akademisë së Hamburgut, 250 miljë larg shtëpisë. Nuk e shihja më familjen dhe miqtë. Ndryshe nga gjyshi im që filloi gjithçka nga zero, unë e dija gjuhën, kisha lindur në atë vend”, shprehet Mustafi duke treguar se pas akademisë së Hamburgut shkoi në Everton dhe më pas luajti në Serie B me Sampdorian, ku qëndroi dy sezone në Itali.
“Duhet të kuptoni që kur njerëzit vijnë në Britani të Madhe dhe Gjermani, ju nuk e keni idenë se çfarë ka kaluar në jetë ai njeri. Kur unë shkova në Shqipëri pashë fëmijë 6-vjeçarë që nuk shkonin në shkollë, por punonin. Aty nuk ka shkolla. Kështu që ata vijnë në këtë shtet dhe e kanë mjaft të vështirë. Të gjithë duhet t’i kuptojmë diferencat. Është e komplikuar, por duhet mirëkuptim”, thotë Mustafi.