Ditën e shtunë, futbollisti italo-gjerman Daniel Caligiuri realizoi një gol spektakolar ndaj Borussia Dortmundit në Bundesligë nga goditja e dënimit. Eksperienca e madhe ka bërë që 31-vjeçari me prejardhje arbëreshe nga i ati të ngjallë kuriozitetin e tre klubeve të famshme të Italisë: Interit, Milanit dhe Romës. Këtë lajm e bën me dije e përditshmja gjermane “Bild”. Por, mesfushori 31-vjeçar dhe drejtuesit e klubit nga Gelsenkirchenit nuk janë të gatshëm të dorëzojnë lojtarin e tyre të çmuar.
“Është një nder i madh për mua që të luaj për Schalke 04. Për më tepër, kryesia e klubit nuk ka qëllim që të më largojë”, konfirmoi Caligiuri për mediat gjermane.
Fitorja e bujshme ndaj Dortmundit pati efekt të dyfishtë: u prishi planet për titullin kampion të Gjermanisë verdhezinjve dhe së dyti e largon Schalken nga zona e ftohtë e rënies nga Bundesliga.