Shqipëria dhe Kosova kanë shumë alternativa në të ardhmen për të ndërtuar një ekip kombëtar konkurues dhe shumë të fortë. Rashica, Zeneli, Abazaj, Grezda janë vetëm disa prej lojtarëve që premtojnë shumë për të ardhmen e ndritur të Shqipërisë dhe Kosovës në arenën ndërkombëate të futbollit.
Por në Spanjën e largët, në tokën e futbollit spektakolar dhe elegant, po rritet një talent i vërtetë i futbollit. Bëhet fjalë për mesfushorin e qendrës Labinot Kabashi që aktivizohet me ekipin e të rinjve të Barcelonës Barca Juvenil A. Djaloshi me origjinë nga Kosova dhe i lindur në Finlandë ka kaluar momente të mundimshme në jetën e tij.
Familja e tij emigroi në Finlandë gjatë periudhës së Luftës së Kosovës. Me vendosjen e paqes në Kosovë, Kabashi 3 vjeç u kthye në shtëpi bashkë me familjen, por pas tre vitesh duke parë kushtet e vështira ekonomike dhe sociale me të cilat po përballej Kosova e pasluftës, familja Kabashi vendosi të merrte sërish rrugën e emigrimit.
Në 2008 familja e tij vendosi të shpërngulej përfundimisht në Spanjë në komunën e Sallentit të provincës së Bagesit në Spanjë. Spanja do të bëhej shtëpia e tij e re, ku do të hidhte dhe hapat e parë në lojën e futbollit. Brenda pak kohësh lëvizi nga të rinjtë e Sallentit te Gimnastic de Manresa dhe në fund fitoi të drejtën të stërvitej me akademinë e Barcelonës.
Aty Kabashi përvetësoi aftësitë e kontrollit të topit dhe organizimin e lojës nga qendra e fushës. Trajnerët dhe vëzhguesit e talenteve të futbollit të Barcelonës kanë mbetur të kënaqur me performancën, sjelljen dhe maturinë e djaloshit në fushë. Shumë prej tyre e kanë krahasuar në modelin e lojës me ikonën e Barcelonës, Andres Iniesta.
Edhe pse në një moshë të njomë, Kabashi mori ftesën nga Kosova për të luajtur me grupmoshën 16-vjeçare.
Një ditë ai pret të ngjisë shkallët nga ekipi B te skuadra e parë e Barcelonës. Por konkurenca për vend në formacionin bazë është asfiksuese, pasi shumë talente premtuese janë “djegur” te Barcelona. Por i riu Kabashi mund të mësojë shumë mirë nga shokët dhe precedentët e kaluar se çfarë duhet të arrijë për të qenë titullar te njëri prej klubeve më të fuqishme në planet.