Rikthehen aktet e dhunës në futbollin shqiptar. Në ndeshjen e moshave U19 mes Partizanit dhe Orikut e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, minutat e fundit janë kthyer në përleshje të vërtetë. Ndeshja e luajtur në kompleksin e Kamzës, aty ku FSHF ka vendosur që të zhvillohet aktiviteti i Kupës për moshat, nuk ishte e thënë të përfundonte pa grushta.
Kanë qenë dy minutat e fundit të takimit, atëherë kur një ndërhyrje e palejuar si fillim ka sjellë debate mes lojtarëve, e më pas situata ka degjeneruar. Lojtarët U19 të Partizanit dhe Orikut nuk janë kursyer ndaj njëri-tjetrit, megjithëse rezultati ishte në favor të të kuqve 9-2. Gjithçka ka nisur pas një ndërhyrje të gabuar nga Dalipaj (Oriku) në dëm të Çarçanit, që më pas gjithçka të merrte tjetër rrjedhë.
Thuajse të gjithë lojtarët në fushë janë bërë protagonist të kësaj ngjarje të shëmtuar, duke u dashur ndërhyrja e forcave të sigurisë për të qetësuar situatën. Portieri mik ishte ai që e pësoi më keq, teksa iu desh ndihma mjekësore për të vijuar lojën pas dëmtimit në kokë. Në fund, shtatë kartona të kuq dhe veprime të dënueshme në fushën e blertë.
Kartona të kuq në këtë ndeshje: Partizani (Çarçani, Çela, Bici, Osmani), Oriku (Dalipaj, Trakaj, Jazaj)