Sot është luajtur ndeshja e moshave mes Laçit U-17 dhe Tiranës U-17. Një gol i vendasve me Ndrecajn ka vendosur takimin duke i dhënë 3 pikë mjaft të rëndësishme kurbinasve. Teksa pritej vetëm një garë sportive për të fituar më i miri, ky takim i ka kaluar kufijtë e një ndeshje futbolli. Në një video të mbërritur në redaksinë e Newsport.al shihet se ka pasur përleshje edhe në këtë sfidë të moshave.
Futbollistët e Laçit janë kapur me ata bardheblu, ku është dashur edhe ndërhyrja e stafeve për të qetësuar gjakrat. Ndeshja është luajtur në Gurëz dhe ka qenë e vlefshme për javën e 20-të të Kategorisë Superiore të moshave U-17.
Veç sherrit masiv në kryeqytet mes Football Republic U-19 dhe Teutës U-19, një ngjarje tjetër e shëmtuar ka ndodhur sot në rrethin e Kurbinit, pikërisht në futbollin e moshave. Në video dëgjohet njëri nga lojtarët e kurbinasve që i drejtohet atij që po e regjistron me kamera: “Fike atë kamera or ej, fike. Fike se të erdha aty”.