Teksa Kategoria e Parë ka luajtur disa nga ndeshjet e javës së 11, amatorizmi i lojtarëve në Shqipëri është diçka që duhet theksuar. Në një denoncim të ardhur në newsport.al, shquhet fjalori aspak normal që futbollisti Anteo Osmanllari përdor ndaj dikujt që nuk e ka takuar asnjëherë. Futbollisti i Pogradecit ofendon rëndë duke përdorur një fjalor banal, duke cënuar tjetrin nga pjesëtarët e familjes. Siç duket edhe nga denoncimi, lojtari kërkon disa foto nga takimi i barazuar ndaj Ilirisë në Fushë-Krujë.
Osmanllari luan për të dytin sezon me Pogradecin, teksa këtë edicion është aktivizuar në tetë takime, vetëm katër si titullar. Asnjë gol nuk ka shënuar lojtari i dalë nga akademia e Skënderbeut për të tijtë, teksa gjen guximin dhe shan e ofendon dikë në rrjetet sociale. Futbolli duhet të jetë diçka që bashkon njerëzit, ndaj do ishte mirë që përpara se të mësonin sesi luhet loja, të dinin rregullat minimale të sjelljes. Një gjest aspak fisnik nga Anteo Osmanllari, që nëse do të ishte pjesë e ligave europiane do të merrte një dënim shembullor.