Naser Aliji u kandidua si pasardhësi i Ansi Agollit në krahun e majtë të mbrojtjes së Kombëtares së Shqipërisë. 24-vjeçari pati një ecuri të mirë dhe në klube duke u aktivizuar me Baselin, Kaiserslauternin dhe më tej me ekipin italian Vintus Entella.
Por futbollistit i skadoi kontrata në verë me klubin italian dhe refuzoi shumë oferta të klubeve të ndryshme. Shumë veta menduan se Aliji u bë një lojtar arrogant duke e mbivlerësuar veten.
Por në një rrëfim të fundit, futbollisti nga Kumanova zbuloi historinë e trishtë të kësaj periudhe të jetës së tij duke theksuar se refuzimi për të gjetur ekip të ri nuk erdhi nga arroganca personale.
“Pasi më mbaroi kontrata me Virtus Entella kisha disa oferta, por vendosa të rikthehem në Baden për të qëndruar pranë familjes. Babai im u diagnostifikua me kancer dhe vendosa që këto muajt e fundit të jetës së tij t’i qëndroj pranë. Babai, fatkeqësisht ndërroi jetë para 4 ditësh. Çdo gjë në jetë e ka një qëllim. Në verë nuk isha i zhgënjyer vetëm se nuk kisha një klub. Papritmas, kuptova se duhet të kaloja kohë me babain tim. Ai ishte në muajt e tij të fundit të jetë”, deklaron për gazetën zvicerane “Blick” Aliji.
Mbrojtësi kuqezi po stërvitet prej kohësh me ekipin që hodhi hapat e para në karrierën e tij futbollistike, Badenin. Ai synon që të firmosë në të ardhmen e afërt me një klub të ligës së parë zvicerane, duke ditur vlerat e mëdha që zotëron si futbollist.