Edhe pse në Kosovë, njësoj si në Shqipëri aktiviteti i lojërave të fatit ndalohet me ligj, organizimi i tyre vazhdon ende të kryhet, madje dhe para syve të zyrtarëve shtetërorë.
Sipas mediave nga ana tjetër e kufirit, vetëm 300 m nga godina e Qeverisë së Kosovës ndodhet një lokal që vazhdon të ushtrojë aktivitetin në fjalë pa asnjë shqetësim. Një person me laptop merret me vendosjen e basteve për futboll e sporte të tjera nëpërmjet internetit.
Megjithë arrestimet e shumta që ka bërë policia në muajin gusht dhe ligji i miratuar në 28 mars që mbyll aktivitetet e lojërave të fatit, duket se është ende e lehtë për shumë njerëz të vendosin baste. Kontrolli online është një çështje që institucionet ligjzbatuese në Kosovë, por dhe në Shqipëri nuk janë përgatitur për ta luftuar. Ligji u miratua pas vdekjes së dy punonjësve në dy kazino në Kosovë.