Incidenti midis kapitenit të Skënderbeut Marko Radas dhe mesfushorit të Flamurtarit Idriz Batha duket se nuk do të kalojë pa pasoja. Komisioni i Disiplinës konfirmoi sot nisjen e hetimeve për konfrontimin midis dy futbollistëve në ndeshjen Skënderbeu-Flamurtari 2-0 në minutën e 53-ë dhe për pas ndeshjes, ku kroati pretendon se Batha e ka goditur me grusht në shpinë pas takimit.
Sipas rregullores së Komisionit të Disiplinës Sportive në nenin 48, pika 1, gërma d), të dy lojtarët rrezikojnë minimalisht të humbasin nga një ndeshje. Por më i rrezikuari është Batha i cili rrezikon të mbyllë sezonin nëse vërtetohet se e ka goditur me grusht Radasin, ai dënohet me 5 ndeshje pezullim (gërma e) ), ç’ka do të thotë se mesfushori i kuqezinjve e mbyll që tani sezonin.
d) të paktën 1 (një) ndeshje për sjellje josportive ndaj kundërshtarëve ose personave të tjerë përveç zyrtarëve të ndeshjes;
e) të paktën 5 (pesë) ndeshje për sulm ose dhunë (goditje me grusht, me bërryl, ose me shkelm) ndaj kundërshtarëve ose çdo personi tjetër përveç zyrtarëve të ndeshjes;
Megjithatë, vendimi përfundimtar do të merret në ditët në vijim.