Presidenti i Gjilanit në Superligën e Kosovës, Florim Zuka ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha pozicionet që ka mbajtur te “Skifterat”. Duket se eleminimi nga Conference League ka bërë që një prej investitorëve më të mëdhenj të futbollit kosovar të japë dorëheqjen, duke ftuar sportdashësit, donatorët dhe Komunën që të japë kontribut për klubin.
Lajmin e ka dhënë vetë Zuka në rrjetet sociale, duke treguar se nga 2017 ka investuar pasurinë e familjes në klub, duke arritur dy herë në Europë dhe disa sezone pranë titullit.
Veç tij, edhe kryesia e Gjilanit është dorëhequr, me Komunën e Gjilanit që do duhet të krijojë një kryesi të re. Kujtojmë se Gjilani sezonet e fundit ka pasur në gjirin e vet lojtarë cilësorë, teksa këtë sezon drejtohet nga trajneri Zekirija Ramadani.