Ergys Kaçe nuk do të vazhdojë më karrierën me Panathinaikosin. Pas 1 viti e gjysmë i huazuar te “jeshilët”, mesfushori kuqezi do të kthehet te skuadra e PAOK-ut, sepse Panathinaikos nuk mundi të përballonte kartonin e tij dhe pagën.
25-vjeçari e konfirmoi lajmin në llogarinë e tij në “Instagram”, ku falenderon të gjithë tifozët e Panathinaikosit dhe mbështetësit e tij.
“Dua të falenderoj të gjithë shokët e mi të skuadrës dhe trajnerët me të cilët kam punuar në këto muaj. Një falenderim të madh për ju, që më keni përqafuar dhe mbështetur nga dita e parë e ardhjes time në skuadër. I uroj suksese klubit (Panathinaikosit) dhe shpresoj të rikthehem!”, shkruan Kaçe.
Kaçe luajti gjithsej 30 ndeshje në një sezon e gjysmë me Panathinaikosin duke realizuar dy gola. Me PAOK-un, që mban statusin e kampionit të ri të Greqisë, Kaçe do të luftojë për të qenë titullar i padiskutueshëm. Ndërkohë, me interes pritet nëse do të thirret në kombëtaren e Shqipërisë nga trajneri i ri Edi Reja.