Futbollisti i spikatur shqiptar në Holandë Arbër Zeneli dëshiron të luajtë në një kampionat më të fortë futbolli. Sulmuesi i krahut që përfaqëson Kosovën dhe luan për ekipin e Heerenveenit refuzoi ofertën e klubit të njohur turk Fenerbahce duke shprehur qartë ambicien për të luajtur në Angli, Itali, Spanjë, Francë, etj.
23-vjeçari ka rrëfyer gjithçka në një intervistë për “fcupdate.nl”.
“Shumë tifozë të Fenerbahçes më janë drejtuar me mesazhe për ta pranuar ofertën të luaj për klubin e tyre të zemrës. Me gjithë respektin për klubin dhe tifozët, unë dua të shkoj në liga më të mëdha. Ambiciet e mia janë Anglia, Spanja, Franca, Gjermania apo Italia, edhe pse nuk i dihet se çfarë do të ndodhë”, u shpreh njëri prej lojtarëve më të mirë të Kosovës.
Gjasat janë që Zeneli të largohet nga Heerenveeni në verë. 2018 ka qenë viti më produktiv në karrierën e 23-vjeçarit duke realizuar 3 gola bashkë me 10 asiste në futbollin holandez. Ndërsa në nivelin e përfaqësueseve, ai kualifikoi me tripletë Kosovën në takimin historik të Ligës së Kombeve me Azerbajxhanin 4-0.