Atalanta siguroi në takimin e dytë ndaj Fiorentinës finales e këtij sezoni për Kupën e Italisë. Ekipi i Berat Gjimshitit mposhti në shtëpinë e tij “Atleti Azzurri d’Italia” ekipin “vjollcë” me rezultatin 2-1 falë golave të Josip Ilicic dhe Alejandro Gomez. Sfida nisi keq për skuadrën nga Bergamo teksa u ndëshkuan që në minutën e 3-ë nga Muriel. Më pas Atalanta e administroi me kujdes takimin duke arritur të përmbysë takimin.
Me rezultatin total 5-4 (3-3 takimi i parë dhe 2-1 sfida e dytë) Atalanta shkon në finale të trofeut të dytë më të rëndësishëm në Itali pas 23 vitesh, por që prej 1963 nuk ka fituar trofe madhor. Por, përveç ambicies për trofe, Atalanta ëndërron që të kualifikohet nëpërmjet kampionatit në Champions League teksa renditet në vendin e pestë me 56 pikë, po aq sa Milani i vendit të katërt. Skuadra ka në dispozicion 5 ndeshje në Serinë A për të siguruar arritjen më të madhe në historinë e saj.