Paulo Dybala është lojtari më i përfolur për momentin në Itali. Argjentinasi përfundon kontratën me Juventus në fund të sezonit, kështu që mbetet i lirë pasi nuk ka pranuar të rinovojë. Kur sulmues të tillë janë të lirë, atëherë e gjithë vëmendja është mbi ta. Veçanërisht nga klubet e Seria A.
Së fundmi ka folur dhe Paulo Dybala, i cili insiston që nuk e ka marr vendimin për hapin e radhës akoma, pasi të largohet nga Juve. “Do zgjedh çfarë të jetë më e mira për mua”, tha Dybala.
Argjentinasi ndodhej në “San Siro” për një event bamirësie të organizuar nga Samuel Eto. Para ndeshjes u pa me Javier Zanettin, duke shtuar shpresat e zikaltërve për një transferim të mundshëm.
“Jam i lumtur që ndodhem këtu, fola me Samuel Eton dhe ai është një ndër më të mëdhenjt, kështu që nuk mund të mungoja. Preferoj të flas për eventin dhe jo të ardhmen time. Nuk e di çfarë do bëj akoma, do mundohem të zgjedh më të mirën për veten”, u shpreh ndër të tjera Dybala duke i lënë të gjitha hapur.