Edvan Bakaj është lojtari më i ri i skuadrës së Dinamos. Burime pranë klubit dinamovit bëjnë me dije për neësport.al që “gardiani” i njohur i kampionatit shqiptar ka gjetur akordin me “Nëndetësen Blu” për sezonin e ri. Eksperienca e madhe ka bërë që drejtuesit italianë së bashku me stafin teknik t’i besojnë aftësive të tij në katërkëndësh. Sot, ai ka dalë në stërvitje me skuadrën, ndërsa në ditët në vazhdim pritet të hedhë të “Zezën mbi të bardhë”.
Aktualisht presidenti Marco Pontrelli ndodhet jashtë vendit dhe me të ardhur në Shqipëri, Bakaj do të bëhet zyrtarisht futbollist i Dinamos. Ofertat në drejtim të tij s’kanë munguar, por 32 vjeçari ka preferuar të qëndrojë në kryeqytet pranë familjes. Nga Tirana, skuadër me të cilën arriti titulli kampion pas 11 vitesh, tashmë Bakaj ka një mision të rëndësishëm: Rikthimin e Dinamos në elitë. Kjo është hera e dytë që ai vesh fanelën e Bluve të kryeqytetit pasi një gjë të tillë e ka bërë në janar të vitit 2011-të duke qëndruar për 6 muaj me dinamovitët.
Më pas zgjodhi të kalonte te Besa e Kavajës, për t’u transferuar më vonë në Laç e më tej te Tirana. Ka provuar dhe një aventurë në Kosovë me Lirinë e Prizrenit dhe Dritën, duke qenë ndër më të mirët në Superligë. Prishtina këmbënguli sezonin e shkuar për ta pasur në ekip, mirëpo Bakaj zgjodhi Tiranën për shkak të lidhjes së ngushtë me bardheblutë, por edhe për arsye personale. /Newsport.al/