Trajneri i njohur Carlos Queiroz do të drejtojë kombëtaren e Kolumbisë. Federata Kolumbiane zyrtarizoi sot portugezin si strategun e ri të përfaqësueses së saj, i cili u prezantua para mediave.
Ish-trajneri i Real Madridit (2003-2004) dhe ndihmësi i ish-teknikut legjendar Sir Alex Ferguson theksoi se kualifikimi në Kupën e Botës për Kolumbinë do të thotë të fitosh gjysmën e Botërorit.
“Kam shumë kolegë dhe miq që kanë punuar me ekipet kombëtare. Të gjithë e dinë se ky rajoni më i vështirë për t’u kualifikuar. Është njësoj si të fitosh gjysmën e një kampionati botëror. Duhet të përgatitemi jashtëzakonisht mirë”, u shpreh 65-vjeçari.
Ai njihet si specialist i kualifikimit në Kupën e Botës, teksa e ka arriur katër herë një rezultat të tillë; 2002 me Afrikën e Jugut, 2010 me Portugalinë, 2014 dhe 2018 me Iranin. Queiroz dha dorëheqjen pas eliminimit të Iranit nga Kupa e Azisë.