Sfida e parë e Kosovës me Bullgarinë për fazën kualifikuese të kampionatit europian të 2020 ka tërhequr në kohë rekord një numër të madh tifozësh. Sipas Sekretarit të Federatës së Futbollit të Kosovës Arianit Ahmeti janë shitur në më pak se 2 orë 11 mijë bileta. Ai e konfirmoi numrin e biletave të shitura për “Indeksonline“.
“Është plotësisht e vërtetë që për ndeshjen me Bullgarinë janë shitur gati të gjitha biletat”, ka thënë Ahmeti.
Por dhe biletat për takimin e katër ditëve më parë me Danimarkën në stadiumin “Fadil Vokrri”thuajse kanë avulluar dhe kanë mbetur 1200 bileta pa u shitur.
“1200 bileta kanë mbetur deri më tani pa u shitur për miqësoren me Danimarkën. Jugu, VIP dhe pak në perëndim“, tha Diturie Hoxha, zyrtare e marrëdhënieve me mediat në FFK për “Gazetën Express“.
Kosova e nis fushatën drejt EURO 2020 në 25 mars. Takimi i shumëpritur do të luhet në stadiumin e Prishtinës “Fadil Vokrri”.
“Dardanët” janë përzgjedhur në grupin A bashkë me Anglinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Republikën Çeke. Ndërkohë përfaqësuesja e Kosovës vazhdon aventurën dhe në Ligën e Kombeve, një rrugë më e shkurtër për të siguruar kualifikimin drejt Europianit.