Sinan Idrizi ka një plan të madh për skuadrën e Flamurtarit. Ekipi vlonjat po noton në ujëra të turbullta dhe kësisoj në janar duhet një dorë e hekurt për të përmbysur situatën negative. Mësohet se kreu i klubit kuqezi ka pasur një takim me trajnerin Ilir Daja ku i ka kërkuar rikthimin në kampin vlonjat. Ende nuk ka marrë një përgjigje konkrete duke qenë se 53-vjeçari është nën kontratë me Skënderbeun.
Veç kësaj, fillimisht duhet zgjidhur çështja e financave që çuan ekipin në gjendjne që është sot. Por, për këtë Idrizi po pret të kalojë Ligji i Sporteve, pasi ai ka treguar mes miqsh që ka gati disa kompani të huaja për të investuar te Flamurtari. Shmangia e TVSH-së ndaj shtetit do t’i kalonte ato të ardhura në arkat e klubit. Veç Ilir Dajës, kreu i kuqezinjve ka pasur kontakte edhe me lojtarë të sezonit të shkuar, të cilët dëshiron t’i rikthejë edhe një herë në organikën e Flamurtarit.