Klubi i Partizanit ka zyrtarizuar afrimin e radhës për sezonin e ri futbollistik. Kampionët e Shqipërisë bëjnë me dije që kanë arritur marrëveshjen me sulmuesin Brian Broën, i cili luante në kampionatin amerikan.
Pasi janë dakortësuar me klubin Reno, futbollisti xhamajkan do të mbërrijë në Shqipëri për të qenë nën urdhrat e trajnerit Franko Lierda. Ai është pjesë e përfaqësueses së Xhamajkës dhe pasi të përfundojë turneu “CONCACAF Gold Cup 2019”, do të mbërrijë në Shqipëri. Përmes njoftimit në kanalin zyrtar, 16-herë kampionët e vendit bëjnë me dije:
“Klubi Futbollit Partizani zyrtarizon sot arritjen e marrëveshjes me klubin amerikan Reno 1868 FC për trasferimin e sulmuesit Brian Broën. Sulmuesi nga Xhamajka do të jetë pjesë e skuadrës për dy vitet e ardhshme, pasi ka gjetur akordin me kampionët e Shqipërisë.
26 vjeçari, transferohet te Partizani nga Reno 1868 FC skuadër që militon në Kampionatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës USL Championship. Broën aktualisht është pjesë edhe e përfaqësueses të Xhamajkës, e cila po luan në Kampionatin e Kupës së Amerikës së Veriut, turneu “CONCACAF Gold Cup 2019″. Sulmuesi pritet të vihet nën urdhrat e trajnerit Franko Lerda menjëherë pasi të mbyll impenjimet me përfaqësuesen e vendit të tij. #MirsevjenTeKampionëtBrian”.
Në këtë sezon, 26-vjeçari është aktivizuar në 11 ndeshje duke shënuar 8 gola dhe duke dhënë 5 asiste.