Migjen Basha mund të transferohet në kryeqytet, së paku sipas asaj që shkruan media greke “thessnews.gr”. Ish-mesfushori i Kombëtares ka vendosur t’i japë fund aventurës me Arisin e Selanikut dhe bardheblutë janë një opsion për të. Pistat janë të shumta, teksa fillimisht u përfol për një transferim të tij në Australi, por nuk përjashtohet mundësia të kalojë në Zvicër për të luajtur me ekipin e Lozanës.
Ndërkohë, bëhet me dije që 32-vjeçari mund të bëhet edhe pjesë e Superiores. Sipas medias greke, nga burime të pankonfirmuara Andi Lila dhe Kristi Vangjeli kanë ndërhyrë për të sjellë në Tiranë ish regjisorin e mesfushës kuqezi. Në pamje të parë duket mjaft e vështirë pasi organika bardheblu është tejet e populluar. Megjithatë futbolli na ka mësuar se asnjëherë s’duhet thënë “kurrë”.