Edgar Çani do të rikthehet të luajë në Superiore. Së paku kështu ka bërë me dije menaxheri i lojtarit, Mario Cenolli që përmes një postimi në rrjetet sociale shfaqej me shtatlartin dhe shkruante: “Prisni surpriza”.
Sulmuesi i njohur është një emër i njohur në Shqipëri jo vetëm për kontributin e tij me Kombëtaren, por sepse ishte para dy sezonesh pjesë e Partizanit. Me të kuqtë nuk arriti të tregonte cilësitë e tij, ndërsa e ardhmja duket se do të jetë sërish kryeqyteti.
Burime jo zyrtare tregojnë për newsport.al se Tirana e ka tentuar edhe para dy sezonesh shtatlartin e sulmit të Partizanit, ndërsa tanimë është sërish në bisedime me të. Fillimisht mund të ketë një marrëveshje vetëm për Kupat e Europës, ndërsa në një moment të dytë mund të vendoset për sezonin e ri futbollistik.
Zhvillime të reja priten në vazhdim dhe në ditën e derbit ka shumë zhvillime në kampin bardheblu. Një afrim i mundshëm i Çanit do të spostonte Michael Ngoo, i cili ka pasur disa herë kontradita me drejtuesit për çështje kontraktuale. /Newsport.al/