Marash Kumbulla është një nga lojtarët e talentuar të Kombëtares shqiptare. Mbrojtësi 20-vjeçar bëri debutimin e tij këtë sezon në Serie A me Hellas Veronën dhe që nga ai moment është kthyer në një prej lojtarëve titullar duke luajtur pothuajse në të gjitha ndeshjet këtë sezon.
Ofertat për lojtarin shqiptar nuk kanë munguar si në Itali, por edhe jashtë. Inter, Napoli dhe Lazio, por siç raporton prestigjozja “The Sun” në Angli është edhe Man United dhe Chelsea që kërkojnë shërbimet e tij.
Solskjaer dhe Lampard e duan në ekip mbrojtësin që kushton 30 milionë euro dhe shihet si një nga talentët e Serie A këtë sezon. Hellas Verona është një skuadrat që ka mbrojtjen më të mirë në Serie A me 26 gola të pësuar në 25 ndeshje dhe një meritë për këtë ka edhe Kumbulla.