Albi Alla federohet nga AEL Larissa? Duket se po! Të paktën një gjë e tillë duket në listën e skuadrës greke të publikuar në “Flashscore”.
Qendërmbrojtësi është mes lojtarëve që përbëjnë kontingjentin e ekipit grek, ndërsa të dhënat e “Flashscore” azhornohen nga ndryshimet e fundit të bëra në UEFA dhe FIFA.
Ende nuk ka një komunikatë zyrtare për federimin e Albi Allës te Larissa, por fakti që ai gjendet mes futbollistëve të gatshëm për të luajtur ndeshjet zyrtare, tregon se kjo çështje tashmë ka marrë fund. Alla do të mbajë në fanellë numrin 6.
Nuk dihet ende se çfarë hapash ka ndjekur, apo do të ndjekë Kukësi për këtë çështje, pasi drejtuesit e klubit verilindor pretendojnë se Albi Alla është në kontratë me kampionët e Shqipërisë dhe transferimi i tij te skuadra greke nuk është i ligjshëm.
Kukësi kërkon 300 mijë euro dëmshpërblim për kalimin e Allës te AEL Larissa, ose rikthimin e tij në ekip.
Për këtë arsye, klubi grek kishte bërë një hap pas në federimin e Albi Allës, edhe pse qendërmbrojtësi është bërë pjesë e skuadrës së Larissa-s prej disa ditësh.
Skuadra ku bën pjesë Albi Alla do të luajë ndeshjen e parë të sezonit në transfertë kundër Olympiakos që drejtohet nga trajneri Besnik Hasi, më 19 gusht në orën 18:15, ndërsa pritet me interes nëse ish-mbrojtësi i Kukësit do të jetë titullar apo jo./NEWSPORT.AL