Partizani e ka të qartë që duhet të investojë në merkaton verore për të mbetur konkurues dhe në nivele të larta. Dhe njëri prej “të piketuarëve” të kampionëve të Shqipërisë e ka pranuar hapur që është kontaktuar nga të kuqtë.
Qendërmbrojtësi i Dritës Ardian Limani konfirmoi për median shqiptare “Telegrafi” se ka biseduar me Partizanin. Ai ndihet i vlerësuar për konsideratën që 16-herë kampionët e Shqipërisë kanë shfaqur ndaj tij.
“Komunikimi me Partizanin: Po kam pasur kontakte me Partizanin. Ata janë shumë të interesuar të nënshkruajnë me mua, por që ende nuk kemi arritur ndonjë marrëveshje. Partizani është njëra nga skuadrat më të mëdha në Shqipëri dhe më vije mirë që më kanë vlerësuar dhe më kërkojnë.
Vendimi personal: Personalisht, ende nuk kam vendosur nëse do t’i bashkohem atyre, do të vazhdoj me Dritën apo do të nënshkruaj me ndonjë skuadër tjetër.
Fati i tij pas sezonit: Pas ndeshjes së fundit ndaj Ballkanit do t’i analizoj të gjitha ofertat dhe do të marrë vendimin përfundimtar”, bëri me dije 25-vjeçari.
Ardian Limani është njëri prej futbollistëve më të spikatur të futbollit të Kosovës. Ai ka fituar dy herë titullin kampion, 2015-2016 me Feronikelin dhe 2017-2018 me Dritën. Limani ka punuar këtë sezon me ish-trajnerin e Partizanit Shpëtim Duro, i cili drejtoi “Intelektualët” për disa muaj, por dha dorëheqjen pas eliminimit nga Kupa e Kosovës.