Mbrojtësi i Partizanit, Renato Arapi është kthyer sërish në Turqi, aty ku ishte dy javë më parë për të folur për marrëveshjen me skuadrën e Kategorisë së Parë, Boluspor. Duket se ekipi turk e ka thirrur sërish shtatlartin durrsak, i cili ka udhëtuar për herë të dytë me leje nga klubi i kuq.
Mëngjesin e sotëm Arapi pritet që të firmosë me skuadrën turke, me të cilën pritet që të ketë një marrëveshje që do të shkojë 210 mijë euro në sezon, të cilat janë të ndara në 160 mijë euro rroga dhe 50 mijë euro bonus nëse ekipi do të ngjitet në Superligën turke në fund të kampionatit.
Mediat turke e bëjnë fakt të kryer kalimin e tij te Boluspor, ku mëngjesin e sotëm shkruajnë se presidenti i skuadrës turke, Necip Çarikçi ka këmbëngulur që ai të firmosë për ekipin e tij. Ai dëshiron që ta ketë Arapin në skuadër përgjatë sezonit të ri, ndaj duket se ia ka plotësuar edhe kushtet.