Amir Rrahmani është blerja e parë e klubit të Veronës. Qendërmbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës është afrimi i parë i klubit italian që u ngjit në Seria A në këtë sezon futbollistik. 25-vjeçari ishte pjesë e Dinamos së Zagrebit në Kroaci, ndërsa tashmë ka hedhur hapin e madh në karrierë. Burime pranë lojtarit bëjnë me dije që për këtë transferim ka ndikuar shqiptari që punon te italianët, Dritan Dervishi.
Ky i fundit e ndiqte prej kohësh lojtarin dhe si zyrtar i klubit të Veronës ka mundësuar transferimin e qendërmbrojtësit në Itali. Një goditje e bujshme kjo duke parë formën e futbollistit por edhe moshën e re. Ai është në kulmin e karrierës së tij dhe pikërisht Seria A duket se është shpërblimi i performancës së mrekullueshme.
Kujtojmë që Amir Rrahmani është një njohje e vjetër e Dritan Dervishit, pasi më parë kanë qenë të dy pjesë e Partizanit. Rrahmani si qendërmbrojtës, ndërsa Dervishi në rolin e drejtorit te kampionët e Shqipërisë.