Sfida e nesërme në “Loro Boriçi” midis Vllaznisë dhe Korabit e vlefshme për fazën play-out të Kategorisë së Parë në grupin A ka gjasa të gjykohet nga një arbitre femër. Gjyqtarja Emanuela Rusta, e Kolegjiumit të Elbasanit pritet t’i besohet sfida e javës së 24-t, që do të luhet në orën 15:00.
Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga FSHF-ja, por media “Kategoria e Parë” në “Instagram” zbuloi lajmin.
“Ekskluzive/ Vllaznia-Korabi, gjykon gjyqtarja e FIFA-s
Ditën e nesërme, Vllaznia dhe Korabi do të përballen mes tyre në “Loro Boriçi”, për llogari të javës së 24. Risia e madhe në këtë ndeshje do të jetë Emanuela Rusta. Gjyqtarja me stemën e FIFA-s do të vendosë drejtësi në fushën e lojës. Kjo do të jetë hera e dytë që Rusta do të jetë arbitre kryesore në një ndeshje të rriturish, ndërsa ka qenë edhe asistente pas porte në derbin Tirana-Partizani.”
Rusta është arbitre e FIFA-s. Ajo debutoi në Kategorinë Superiore në derbin Tirana-Partizani (0-0) e datës 1 mars në rolin e gjyqtares pas portës. Ajo u kontestua nga tifozët e Partizanit, pasi nuk akordoi penallti në favor të të kuqve, kur mbrojtësi Erion Hoxhallari ndali topin me dorë.