Laçi-Partizai do të jetë një nga sfidat çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Të dyja ekipet do të përballen këtë fundjavë në kampionat, ndërsa goglat I rezervuan edhe një tjetër sfidë në Kupë e cila do të luhet në Laç me një ndeshje teke më datë 17 mars. Pas shortit ka folur edhe trajneri i skuadrës kurbinase, Shpëtim Duro që “ABC Neës”, është shprehur se nuk ishte në dijeni që shorti do të hidhej sot. Duro theksoi gjithashtu që sfidat ndaj ekipeve të forta ka disa avantazhe pasi nëse fiton eleminon një rival direkt.
“Patjetër që Partizani është rival i fortë. Por për momentin ne jemi të përqendruar te ndeshja në kampionat momentalisht sepse kemi ende kohë për të menduar për përballjen me ta në Kupë.
Shorti është fat, nuk ka preferenca. Ndeshja me një ekip të fortë ka avantazhin se nëse e eliminon, largon një kundërshtar. Kështu që do të vinte momenti, që nëse s’do binte në çerekfinale, do përballeshim në raundin tjetër.
Nuk kisha ndonjë preferencë, madje nuk e dija tamam kur hidhej shorti dhe më thanë pas stërvitjes së sotme. Do zhvillohet me një takim për situatën e pandemisë, është më se normale sepse nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë kompeticione europiane.
Është normale që ky aktivitet të jetë i reduktuar për numrin e ndeshjeve dhe kohës, duke parë edhe kushtet që po zhvillohet ky sezon. Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë me Partizanin në ndeshjen e parë në kampionat.
Terreni i fushës është shumë i mirë, diçka pozitive për të dy ekipet, por nuk kemi ndonjë favor të madh sepse stadiumet janë pa tifozë, kështu që nuk shoh asnjë avantazh përveç terrenit të mirë, që avantazhon edhe Partizanin”, u shpreh Duro.