Covid-19 ka futur në kolaps botën e sportit, teksa në Shqipëri është kërkuar ndihmë nga Qeveria. FSHF, Liga Profesioniste dhe Shoqata e Futbollistëve i kanë kërkuar Qeverisë që t’i mbështesë sportistët dhe stafet e skuadrave, pasi situata financiare e klubeve nuk është e mirë. Për këtë, presidenti Armand Duka ka folur në News 24, duke i bërë publike edhe njëherë këresat. Duka zbulon se dy mga pjesëtarët e FSHF-së kanë qenë të infektuar me Covid-19, ndërsa testet e fundit tregojnë se e kanë mposhtur virusin.
“Dy pjesëtarë nga stafi i FSHF janë infektuar me Covid-19 dhe të dy tashmë janë shëruar dhe kanë rezultuar negativ. Që atëherë ne i kemi mbyllur zyrat dhe punojmë nga shtëpia siç do bëjmë edhe në vazhdim. Është shumë e vështirë të ambientohesh e të vazhdosh jetën në kushte shtëpie. Futbolli është e pamundur të bëhet kështu. Duhet të kuptojmë që me futboll ushqehen shumë njerëz.
Ka shumë trajnerë në ekipe të vogla që mbajnë familjen me ato para dhe tani nuk dinë ku të shkojnë. Ne duam që qeveria t’i kompensojë lojtarëve dhe trajnerëve një minimum sa për të mbijetuar, po aq sa bizneset e vogla. Nuk është vetëm Superiorja, por janë shumë më shumë. Një futbollist i Kategorisë së Dytë është e pamundur të ketë rezerva të mbajë familjen e tij për më shumë se 15 ditë.
Dërgimi i mjekëve në Itali për mendimin tim ishte shumë i goditur. Kam dhënë intervista në mediat italiane dhe kam marrë shumë mesazhe sensibilizuese. Me Ramën nuk kam diskutuar për këtë çështje. Në fillim na u duk si lojë dhe se do kalonte shpejt dhe menduam se nuk do kishim nevojë për gjëra të tilla, por tani është situatë ndryshe.
Ekonomi më të dobëta se tonat kanë kompensuar aktivitetet sportive. Shteti duhet ta kishte krijuar rezervë sepse vetë këta njerëz do e shlyejnë këtë si një borxh nëpërmjet taksave që do paguajnë. Kam besim se qeveria do i ndihmojë futbollistët dhe trajnerët. Është e pamundur që Federata t’i kompensojë me buxhetet që ka, duke mos e ditur sa do shkojë kjo situatë. Ne do bëjmë aq sa kemi mundësi dhe na lejon buxheti ynë”, u shpreh Duka.