Partizani i ka dhënë fund përgatitjeve në tokën turke. Prej dy javësh në Antalia, kampionët e Shqipërisë kanë marrë ngarkesën e duhur nga trajneri Adolfo Sormani dhe sonte në mbrëmje do të mbërrijnë në atdhe.
Lajmi është bërë i ditur nga klubi i kuq që përmes një njoftimi në kanalin zyrtar tregon se të kuqtë do të nisin menjëherë stërvitjen me të mbërritur në Shqipëri. Vlen të theksohet në Turqi zhvilluan dy teste miqësore, të cilat u humbën me rezultatet 1-0 dhe 2-0.
“Me seancën zhvilluar sot paradite, skuadra i ka dhënë fund përgatitjeve në tokën turke. Përgjatë akomodimit 12 ditor në Antalia, kampionët në fuqi kanë punuar me një program të ngjeshur stërvitor me ngarkesa të larta fizike. Gjithashtu gjatë kësaj mini faze përgatitore të kuqtë zhvilluan edhe dy ndeshje miqësore ndaj Trabzonspor dhe Budapest Honved.
Në mbrëmje skuadra kthehet në kryeqytet , për të vijuar tashmë seancat stërvitore në kompleksin sportiv “Tirana Internacional” në prag të takimit ndaj Skënderbeut, i vlefshëm për javën e 18 të Kategorisë Superiore, në program në datën 21 janar në Korçë”, shkruhet në njoftimin për mediat.
Kujtojmë që afrimi i vetëm zyrtar i Partizanit në këtë merkato është Dorian Kërçiku. Ndërkohë drejtuesit po punojnë për të përforcuar ekipin në repartin e mesfushës për të plotësuar boshllëkun e krijuar pas largimit të Jasir Asanit.