Një nga çështjet më të nxehta në futbollin shqiptar është rifillimi i saj. Liga Profesioniste, në bashkëpunim me ekipet e Superligës kërkojnë plotësimin e kërkesave, në të kundërt vështirë se mund të ketë lojë të luajtur. I ftuar në Pressing te Abc News është Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili dha mendimin e tij.
”E mira është të kemi futboll dhe kemi vuajtur këtë vit, duke pasur parasysh situatat e kaluara, me pandemi e tërmet. Nuk do ishte mirë të kishte bojkot, por një zgjidhje. Liga nuk janë 10 klube të Superiores, ato kanë edhe rreth 50 ekipe moshash dhe fëmijë që i edukojnë, Katër kërkesat e bëra janë për zhvillimin e futbollit.Kjo përçohet edhe te klubet e tjera. Personalisht jam kundër bojkotit, jam pro zgjidhjes në tavolinë. Është vullneti i shumicës ky. Duhet bërë maksimumi të zgjidhen gjërat. Koha ishte e mjaftueshme të zgjidhen ato katër kërkesa. Ato kërkesa janë ato premtime që u bënë në maj të vitit 2018.
Kryeministri tha që le të bëjmë një reformë dhe të ndërtojmë një strategji për zhvillimin e sportit. Janë bërë grupe pune, janë bërë disa ndryshime. Por nuk u bënë esencialet që ndihmojnë në zhvillimin e futbollit.
Asnjë nga kërkesat nuk devijon nga premtimet, madje aty u diskutusan më shumë dhe liga ka kërkuar katër. Plotësimi i tyre i jep frymëmarrje futbollit shqiptar.
U bë grupi i punës dhe morën specialistë nga FSHF, ministria. Në fund u katandis kaposhi në thelë dhe nuk u bënë ligjet që duheshin.Flitet për informalitet, por me këto masa tentohet rregullimi.
Jemi dëshmitarë të një realiteti që futbolli e ka të vështirë të mbajë veten me këtë bazë ligjore që ka futbolli dhe me financimet që vijnë nga pushteti lokal.
Presidentët e kanë pasur merakun që kjo do bëhej politike. Por po të shikoni sloganin, etiketohen qeveritë dhe jo qeveria. Shqipëria nuk shpik rrotën. Le të kopjojmë botën, të shohim si e kanë ndërtuar atë shtratin e zhvillimit të futbollit. Nuk jam për bojkot. Po të shohësh të gjitha zhvillimet, u jepet e drejtë klubeve. Ka kaluar shumë kohë dhe nuk u bë asgjë.
Nëse i kapim pikat një e nga një e t’i krahasojmë me ato në tavolinë, janë po ato. Vetë kryeministri tha le ta ndalojmë 5, 7 apo 10 vite tatimin për futbollistit. U bë vetëm dy vite, as minimalen jo. Ai tha që të hiqet edhe tatim-fitimi, por liga nuk e kërkon. Duhet një ligj i ri sponsorizimi dhe jemi gati të flasim. Nuk dua që të jemi antagonistë.Ky është qëndrimi ynë, jam gjithmonë i mendimit që duhet t’i zgjidhim. Kemi zgjidhur shumë çështje më parë dhe do i zgjidhim edhe këto. Vetë personalisht më ka premtuar që do i zgjidhim, që futbolli të ketë frymëmarrje. Pas takimit në mars kemi bërë takime me Ministren e Financave, me Kryetarin e Komisionit. Nuk kam arritur t’i bind për ndryshimet, ato kanë argumentet e tyre.Normalisht kërkohet diçka nga buxheti që ky sport të ecë përpara. Thonë që TVSH të bëhet 6 për qind dhe ka komente, që thonë pse kaq është shumë i rëndësishëm sporti. Nuk është më i rëndësishëm se bujqësia, që është jetike. Për bujqësinë jepen edhe donacione. Nuk po kërkojmë donacione.
Le të bëhet 6% dhe do ketë impakt të vogël në buxhetin e sportit. Duhet gjetur një balancë që të mos ketë më pas fatura që nuk duhet. Edhe futbolli ka nevojë për ndihmë. Për faturat duhet të japin 6%. Pastaj për infrastrukturën për mua duhet të jetë zero. Për donacionet janë zero, por duhen përjashtuar edhe kur investimet bëhen nga vetë klubet. Isha në zyrën e financave dhe nuk zgjidha asgjë. Rama duhet të vejë vulën dhe ne që nesër jemi gati.” – Pohon Duka.