Vllaznia e femrave luan sot në 18:00 në “Loro Boriçi” kundër ukrainaseve të Vorskla Kharkiv. Sfida vlen për play-off e Champions League, me vajzat shkodrane që kërkojnë historinë në Europë. Para ndeshjes ka folur edhe Lazer Matija, presidenti i femrave të Vllaznisë.
“Nëse Vllaznia kualifikohet, normalisht që është arritja më e lartë e futbollit shqiptar, në të gjitha nivelet, futbollin e meshkujve, të femrave dhe të moshave.
Ta arrish për kaq pak vite që zhvillohet futbolli i femrave një gjë të tillë, është diçka më tepër, sepse është vetëm 13 vite futboll dhe të arrish në këto nivele, mendoj se është privilegj dhe reklamë mjaft e mirë për futbollin dhe sportin shqiptar”, tha Matija.
Kujtojmë se edhe ndeshja e kthimit mes këtyre skuadrave do zhvillohet po në Shkodër, për shkak të luftës në Ukrainë.