Edi Martini ka folur pas fitores 5-0 kundër Kastriotit. Trajneri i Teutës tashmë shkon në çerekfinale bashkë me skuadrën e tij. E për këtë foli pas ndeshjes me krutanët ku deklaroi:
“Për ne ishte i rëndësishëm kualifikimi. Pas 1-0 mbyllëm ndeshjen. Kjo është ajo që më shënon. Me Skënderbeun kemi pasur raste, por në fund e pësuam. Por, sot kjo është ajo që më gëzon pasi nuk vunë në asnjë moment në siklet ndeshjen.
Lojtarët? Dëgjo ne jemi ndërtuar me dy formacione. Me të vërtetë është ndeshja e parë. Unë kam edhe lojtarë të tjerë që mund ta nisin nga fillimi. Por, s’dua të veçoj individë, por më mjafton grupi.
Përmirësim? Sigurisht që ka disa gjëra që dua t’i korigjoj. Pavarësisht se fituam me Tiranën, kemi disa probleme. Kemi folur. Kemi disa mangësi që duhet t’i riparojmë. Nëse luajmë me përkushtim, është e vështirë të kemi problemi në fushë.
Kundërshtari i radhës? Kështu si kanë ardhur punët, do të preferoja Tiranën në çerekfinale”, tha ai.