Eni Imami ka ironizuar situatën në të cilën gjendet futbolli në vendin tonë. Nga njëra anë Federata Shqiptare e Futbollit është gati për të rinisur aktivitetin sportiv duke ndjekur me rigorizitet protokollin e sigurisë, e nga ana tjetër qeveria s’e lejon një gjë të tillë. Edhe pse rastet me COVID-19 në vendin tonë janë me pikatore, sipas instancave përkatëse futbolli mund të shndërrohet në vatër infeksioni.
Për këtë, futbollisti i Skënderbeut ka bërë një postim në rrjetet sociale ku tregon deklaratën e yllit të Barcelonës, Ivan Rakitiç. Ky i fundit u shpreh se do të zbresë në fushë duke marrë përsipër edhe rrezikun e infektimit. Teksa poston foton e kroatit, shtatlarti i prapavijës korçare shkruan me ironi: “Po s’ke kryeministër ti që na do të mirën, siç na e do ne”.
Si çdo herë tjetër, edhe këtë radhë qeveria i ktheu shpinën sportit në vend. Tanimë është e vështirë të jepet “OK”-ja për rifillimin e futbollit, në një kohë kur ekspertët publikisht kanë thënë se rreziku i infektimit është minimal.