Rinovimi i Edi Rejës në krye të Kombëtares është një tjetër e nxehtë që pritet të marrë zgjidhje në muajin nëntor. Trajneri 73-vjeçar ka bërë një punë të shkëlqyer me kuqezinjtë që tashmë duken se kanë fituar besimin për vazhdimësinë.
Pas fitores 4-2 kundër Islandës, pikëpyetja më e madhe ishte nëse Reja do të rinovojë ose jo duke qenë se kontrata i përfundon në fillim të nëntorit. Vetë ai duket i kënaqur me paraqitjen e kuqezinjve, madje është shprehur optimist për organikën që ka në dispozicion. Për Tv Klan, 73-vjeçari ka dhënë sinjal të qartë Armand Dukës duke treguar se është gati të qëndrojë në krye të Shqipërisë, por gjithçka do të vendoset nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Më pëlqen ky grup, më pëlqejnë cilësitë e tyre. Ka futbollistë me prespektivë që luajnë në Europë. Shqiptarët meritojnë shumë. Por, që të arrihet një punë e mirë duhet kohë në dispozicion. Unë jam gati të rinovoj për 2 vite me këta djem, megjithatë gjithçka do ta ndajmë në muajin nëntor”, ka përfunduar Edi Reja.
Pritet me interes të shihet nëse kreu i FSHF-së do të dakortësohet me italianin për të vijuar bashkëpunimin. Me një stadium të mbushur dhe një lojë që shumë pak herë e kemi parë në fushë, duket se Edi Reja ka gjetur Kombëtaren e humbur dhe tifozët e munguar në mbështetje të kuqezinjve. Topin tashmë është në “derën” e Armand Dukës.