“Juventusi është një skuadër me histori dhe nuk e zbulojmë sot një gjë të tillë. Po ecën mirë në këtë sezon dhe jo vetëm.
Kundër Juves do të jetë një sfidë shumë interesante. Pas sfidës që fituam kundër PSG-së, mund të ndodhë çdo gjë në botën e futbollit”.
Kështu e ka komentuar si fillim, shortin e çerekfinaleve të Champions League mes Juventusit dhe Barcelonës, zëvendëspresidenti i klubit katalanas, Jordi Mestre.
Për mikrofonin e ‘Premium sport’, numr i 2 i klubit të Barcelonës iu përgjigj pyetjeve edhe për një interesim të mundshëm të katalanasve për trajnerin e Juventusit, Massimiliano Allegri.
“Trajneri i ardhshëm? Kemi kohë për të menduar mbi këtë temë. Do ta bëjmë zyrtar kur të jetë momenti i duhur. Allegri? Është një trajner i madh. Por nuk është ky momenti për të folur për zëvendësuesin e Luis Enrique-s. Përshëndes edhe Dani Alves. Jemi të lumtur që do të kthehet në ‘Camp Nou'”, u shpreh zëvendëspresidenti i Barcelonës, Jordi Mestre.
Ndërkohë që Drejtori i Sporteve Profesioniste i Barcelonës, Albert Soler, i pranishëm sot në shortin e çerekfinaleve të Championsit në Nyon, u shpreh: “Donim të evitonim ‘derbin’ kundër Atletico Madrid ose Real Madrid. Por, sidoqoftë, Juventus është një ndër skuadrat më të forta në Europë. Mendoj se përmbysja që skuadra jonë bëri kundër PSG-së ishte në të mirë edhe të kompeticionit. Kualifikimi për herë të 10-të radhazi në çerekfinale të Champions League është e jashtëzakonshme për Barçën”.