Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Genc Tomorri ka folur për merkaton e të kuqve pas prezantimit të Mathew Bonifaces. Tomorri është shprehur i kënaqur me atë që 15 herë kampionët e vendit kanë zhvilluar në fushën e blertë dhe për këtë deklaroi që afrimet në ekip do të jenë të pakta, por mjaft të studiuara.
“Sigurisht jemi në periudhë merkatoje, por në skuadër nuk do të ketë ndryshime të mëdha,pasi jemi shumë të kënaqur me lojën dhe rezultatet që ekipi ka rregjistruar në dy fazat e para. Do të dëshironin të ishim ne kampionë të Dimrit. Lëvizjet në skuadër do të jenë shumë të pakta dhe tepër të studiuara për lojtarë të veçantë. E them edhe një herë se duke filluar nga Presidenti Demi dhe ne si drejtues Klubi jemi mjaft të kënaqur nga paraqitja e deritanishme që ka dhuruar grupi aktual. Rivaliteti për titull do të vazhdoj të jetë mes 4 skuadrave kush do të jetë më i përqendruar është lojë force për të katër ekipet kush do të arrij në finish i pari, shpresoj që në fund ne tia dalim sepse jemi më të etur për të fituar titullin. Sukajn e konsiderojmë pjesë të Partizanit , pasi të gjithë i njohin cilësitë e tij, po ashtu një forcë më shumë për ne do të jetë edhe Mazrekaj që besojm do të jetë gati 100% për rifillimin e kampionatit”, ka përfunduar Genc Tomorri në konferencën për shtyp gjatë prezantimit të Bonifaces.