Në javën e 15-të të kampionatit në Kategorinë e Dytë, Domosdova pret në shtëpi nesër në orën 14:00 ekipin e Gramozit. Pozitat në klasifikim shohin si favorit ekipin vendas. Të kuqtë aktualisht renditen në vendin e 8-të me 19 pikë, ndërsa Gramozi mban vendin e parafundit me vetëm 10 pikë.
Kujtojmë se një javë më parë Domosdova pësoi humbje të thellë në transfertë ndaj Orikumit. Por, ekipi e ka harruar këtë episod dhe është gati për sfidën e radhës.
Në lidhje me paraqitje jo të mirë nga ekipi i kuq, në një prononcim për Newsport.al, ka folur trajneri Erald Karriqi, i cili me tone të ashpra ka analizuar ndeshjen e një jave më parë.
“U kam kërkuar lojtarëve të japin maksimumin në çdo ndeshje dhe paraqitje. Të mos ndodhin më episode të tilla në asnjë ndeshje”, i është drejtuar trajneri lojtarëve të tij.
I pyetur se nëse e kanë harruar atë ndeshje, si është duke u zhvilluar ndeshja e radhës dhe cilat janë objektivat në vazhdim, Karriqi tha se:
” Gjatë javës stërvitja është zhvilluar normalisht dhe lojtarët kanë marrë udhëzimet e duhura për ndeshjen e nesërme. Ne do të luajmë në fushën tonë dhe nuk do të jenë të tolerueshme gabimet. Kërkojmë të rikthehemi te fitorja përballë tifozerisë së zjarrtë e cila na mbështet në çdo rezultat që arrijmë.
Gjej rastin gjithashtu t’i falenderoj tifozët ultras “Furia e kuqe” të cilët janë gjithmonë aty për ne. Grupi është i plotë pa asnjë mungesë dhe shpresojmë që të fitojmë me lojë të bukur edhe rezultat bindës pasi ne i kemi të gjitha mundësitë për të dalë trimfues nga ky takim.
Objektivi ynë kryesor është që të fitojmë dhe të paraqitemi mirë në të gjitha takimet, gjithashtu katër vendet e para në tabelën e klasifikimit janë disa nga synimet që kemi. Duke parë edhe përbërjen në ekip, jam i bindur që do e arrijmë.
Mendoj gjithashtu se kundërshtari meriton respekt dhe vlerësim sepse na ka vënë gjithmonë në vështirësi, por unë dhe lojtarët e mi e dimë që nuk kemi rrugë tjetër përvecse fitore”, përfundoi trajneri Erald Karriqi./NEWSPORT.AL