Futbolli është ndalur thuajse në gjitë botën prej virusit të frikshëm, Covid 19 që ka marrë mijëra jetë njerëzish dhe ka infektuar miliona persona. Por, drejtuesit e UEFA-s, ECA-s dhe Ligave Europiane duan që të rinisin sërish me t’u stabilizuar situata.
Në një shkresë zyrtare të drejtuar për të gjitha Federatat e Futbollit, presidentët Aleksandër Ceferin, Andrea Agnelli dhe Lars Christer Olsson, bëhet e ditur që nuk përjashtohet mundësia që kampionati të luhet edhe në muajt e verës.
Aty theksohet se në fund të sezonit të gjithë klubet të bëhen bashkë për të vendosur një calendar të përbashkët për edicionin e ardhshëm.
“Ne jemi të sigurt se futbolli mund të fillojë përsëri në muajt e ardhshëm, me kushte të diktuara nga autoritetet publike. Ne besojmë se çdo vendim për të braktisur garat vendase është i parakohshëm dhe i pajustifikuar. Grupet e punës së UEFA-s janë duke vlerësuar skenarë të ndryshëm, përfshirë muajt korrik dhe gusht dhe mundësinë e rifillimit të garave ndërkombëtare pas atyre kombëtare.
Një kalendar i përbashkët do të jetë i nevojshëm në fund të sezonit aktual dhe duhet të koordinohet me atë të atij vijues, i cili mund të penalizohet pjesërisht”, thuhet ndër të tjera në letrën e dërguar nga UEFA, raporton “Radio Marca”.