Komisioni i Disiplinës në vendimet e djeshme ka dënuar Flamurtarin me heqjen e tri pikëve nga klasifikimi. Për shkak të borxheve të mbartura dhe mospagesën e trajnerëve dhe lojtarëve që kanë qenë më herët pjesë e klubit, vlonjatët rrezikojnë seriozisht falimentin.
Së fundmi klubi ka humbur gjyqet në FIFA me lojtarët Kreshnik Nebihi apo brazilianin Danilo Alvesh. Gjithashtu gjyqi u humb edhe me Artim Pollozhanin. Në lidhje me këto borxhe, Disiplina ka vendosur të penalizojë me tri pikë vlonjatët, që luajnë në zonën play-out të Kategorisë së Parë.
Flamurtari tanimë është i zhytur në borxhe dhe FSHF ka marrë këtë masë paralajmëruese, duke I dhënë afat prej më pak se dy javësh klubit të futbollit për të shlyer borxhin ndaj ish trajnerit Ergi Lubani, ish-ndihmësit të Ilir Dajës. Nëse shuma prej 10 milion lekësh të vjetër nuk paguhet për një afat të caktuar, vlonjatëve do iu zbriten sërish pikë nga Disiplina, çka mund të bëjë që Elbasani ta kalojë në renditje, me Flamurtarin që rrezikon të rrëzohet në Kategorinë e Dytë dhe të falimentojë prej borxheve.