Blutë e kryeqytetit kanë nisur përgatitjet prej disa ditësh, por që numri i lojtarëve vijon të mbetet i ulët. Edhe ata që vijnë në provë nuk bindin, ndërsa trajneri Igli Allmuça është në hall për sezonin e ardhshëm futbollistik.
Kujtojmë që këtë sezon Dinamo shpëtoi nga rënia në një kategori më poshtë, kur në gjirin e saj kishte lojtarë me potencial, por që ky vit parashikohet të jetë më tepër i vështirë për blutë. Janë larguar lojtarë kryesorë, të cilët kanë zgjedhur ekipe të Superiores për sezonin e ri, ndërsa afrimi më i mirë për momentin është ai i Julian Brahjes që do të jetë në qendër të mbrojtjes.
Sa iu përket të tjerëve, të gjithë janë të rinj pa eksperiencë, të cilët ende nuk kanë arritur stadin e duhur për të qenë të aftë që të mbrojnë ngjyrat e Dinamos këtë sezon. Pra, përkundër asaj që u trumbetua në fund të sezonit të shkuar, tashmë çdo gjë mbetet në kuadrin e fjalëve, sepse situata vetëm përkeqësohet.