Arrestimi i Armir Grimës, paraditen e sotme, nga uniformat blu mori jehonë në gjithë vendin. Njeriu që ka kontribuar për vite me radhë në katërkëndëshin e Vllaznisë së Shkodrës, ra në pranga pasi dyshohet se ka trukuar ndeshje në bashkëpunim me disa persona të tjerë.
Policia e Shtetit njoftoi se trajneri i Kombëtares së femrave akuzohet se është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe tashmë drejtësia do të jetë ajo që do të vendosë për të.
Përfshirja e sportit në aktivitete të tilla është absolutisht e patolerueshme. Megjithatë të gjithë ata që e kanë njohur Grimën përtej katërkëndëshit të portës, apo edhe si trajneri i kuqezinjve, e dinë fare mirë personalitetin e tij.
Shqipëria është ende vend në tranzicion (Në të kundërt do të ishim qytetarë të BE-së) dhe sigurisht në të tilla kushte, ndonjëherë duhet t’i bindesh më të “fortit” sepse ndryshe të pret “qoftë largu”. Formacionet titullare shpesh herë nuk caktohen nga trajnerët dhe kjo është trumbetuar me të madhe nga të gjithë analistët sportivë.
Të gjithë ata që do të ishin të kërcënuar, është e sigurtë që do të zgjidhnin fillimisht të bënin një 11-she titullare sipas urdhrave e normalisht në shtëpi të shkonin të qetë. A i ka ndodhur kjo edhe Grimës? Këtë nuk e dimë, megjithatë urojmë që sistemi i drejtësisë në vendin tonë të zbardhë dhe të nxjerrë në pah të vërtetën, por jo duke u bazuar vetëm në tabulate telefonike. /Newsport.al/